Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë që për zgjedhjen e presidentit të vendit duhet të ketë një marrëveshje të gjerë dhe nëse ajo nuk arrihet duhet të shkohet në zgjedhje.

“Është mirë që te kemi një marrëveshje të gjerë e cila siguron pjesëmarrjen e diku 80 deputetëve në procesin e zgjedhjes së presidentit. Nëse nuk gjejmë zgjidhje, atëherë zgjidhja tjetër sigurisht janë zgjedhjet”, theksoi ai.

Duke iu referuar deklarimit të tij ditë më parë se posti i presidentit i takon PDK-së, Mustafa sqaroi se nuk e ka thënë këtë në mënyrë eksplicite, por ka folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend.“Nuk e di, nuk mundem me u shpreh sot. Duhet me qenë vendim i LDK-së, nuk është vendim individual.

Por ne akoma nuk kemi një vendim të PDK-së që do të japin kandidatin për president të vendit. Pas nesh është partia e tretë me radhë për nga numri i deputetëve. Por në pikëpamje të presidentit është çështje e tyre, por edhe e jona që të diskutojmë. Ajo që ka dalë në media se presidenti i takon PDK-së, unë nuk e kam thënë këtë në mënyrë eksplicite, por kam folur vetëm për parime dhe numrin deputetëve në Kuvend”, tha ai pas takimit me grupin parlamentar.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj tij, këtë detyrë po e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.Deri më tani për këtë pozitë kandidaturën e tij e ka shpallur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është edhe partneri i koalicionit qeverisës me LDK-në.