Përpos sfidave të shumta me të cilat përballen qytetarët e Kosovës ndër vite, kësaj here krizë e madhe ekonomike ka përfshirë gjithë vendin.Rritja e inflacionit në 12-13 përqind ka përkeqësuar edhe më tepër jetesën e qytetarëve, të cilët duhet të përballen çdo ditë me rritjen e çmimeve madje në produktet esenciale.

E në ballafaqimin e shumë sfidave, problematike doli të jetë edhe nisja e mësimit më 1 shtator.

Prej tri javësh, nxënësit po vazhdojnë të mos u kthehen ende bankave shkollore, për shkak të grevës së nisur nga Sindikatat e Bashkuara për Arsim dhe Shkencë. Të njëjtit janë duke kërkuar nga 100 euro shtesë në paga, deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Kundër kësaj kërkese është Qeveria e Kosovës, derisa të njëjtit kanë propozuar që t’u ofrojnë nga 50 euro mësimdhënësve, në kuadër të pakos për përballje me inflacion.Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar ish-kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, i cili tha se në minimum Qeveria duhet të sillet me korrektësi dhe respekt ndaj Këshillit Grevist.

“Sjellja e deritanishme e Qeverisë nuk përputhet me mburrjet e saj para ndërkombëtarëve se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Kjo dëshmon të kundërtën”, deklaroi Mustafa.Ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjithashtu tha se Qeveria e Kosovës duhet të rris pagat.

Mustafa gjithashtu iu është kundërpërgjigjur deklarimeve të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryeministrin Albin Kurti, se ata nuk kanë ardhur në pushtet me premtimet për rritje të pagave.

“Janë të pakuptimta arsyetimet e koalicionit qeverisës se ata në programin e tyre nuk kanë premtuar rritje të pagave. As Presidenti Biden nuk ka premtuar në fushatë se do të shpenzojë miliarda e miliarda dollarë për Ukrainën, por po e ndihmon Ukrainën sepse ndodhi agresioni rus. Ndodhi edhe inflacioni që po e kërcënon çdo familje në Kosovë, prandaj duhet indeksuar pagat, jo vetëm për arsim, por për të gjithë sektorët”, theksoi ai.

Sipas Mustafës, aftësia e një qeverie tregohet në elasticitetin e saj për të vepruar në situatë të reja, assesi në mbrojtjen e dogmave të saj.“Buxheti është rritur si pasojë e inflacionit, ku qytetarët kanë paguar çmime më të larta dhe me to edhe më shumë tatim. Prandaj, një pjesë do të duhej t’u kthehet qytetarëve përmes rritjes së pagave, pensioneve, trasnfereve përfshirë këtu edhe ndihmat”,theksoi ai.

Mustafa deklaroi se s’ka asnjë shpjegim normal pse Qeveria po grumbullon buxhetin e nuk po i shpërndan ato në projekte të nisura.“Mund të jetë padija, frika nga korrupsioni, nevoja të lavdërohen sa para i kanë mbledhur… Por korrupsioni nuk luftohet duke i ngrirë investimet publike. Me këto sjellje vet Qeveria po e dëmton paranë publike. Në vend që t’ua ruajë dhe shtojë vlerën përmes investimeve dhe zhvillimit, ajo i ka ekspozuar mjetet e buxhetit ndaj shkallës së inflacionit. Ata po e humbin vlerën çdo ditë”, shtoi Mustafa.

Ish-kreu i qeverisë tha se edhe kjo sjellje është një krim ndaj parasë publike.Pavarësisht kërkesave të shumta nga opozita, por edhe nga qytetarët që Qeveria të zhbllokojë buxhetin e Kosovës dhe të punohet në projektet e nevojshme për qytetarët, kjo gjë nuk është bërë.

Madje sipas kryeministrit Albin Kurti, ky buxhet ka shërbyer në shpërndarjen e shumë “ndihmave” që u janë dhënë qytetarëve nga pakot e shpërndara në dy vitet e fundit.Nga këto pako ishin dhënë nga 100 euro për pensionistët, studentët e sektorin privat, kurse tani pritet të jepen nga 50 për mësimdhënësit, nga 100 për studentët e asgjë për sektorin më të ndjeshëm në vend, atë privat.