Lokale - eSIMy

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, vlerëson se nuk ka vullnet të partive për të shkuar në zgjedhje të reja dhe se mocioni i iniciuar nga VV-ja për rrëzimin e qeverisë, “i ka mbetuar në duar” kësja partie, duke iu referuar mospërkrahjes nga të tjerët.

Mustafa ka folur pak orë para takimit të paraparë për sot në orën 15:00, ku pritet të takohen krerët e partive të kolaicionit qeverisës.

Sipas njoftimit zyrtar, temë është procesi i dialogut me Serbinë, por të dielën, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, që vjen nga LDK-ja, tha se mund të flitet edhe për postin e presidentit që po e kërkon Ramush Haradinaj i AAK-së.

“Sa i përket iniciativës së VV-së për mocion, ne nuk kemi asnjë telashe të shkojmë në zgjedhje në momentin që vendos shumica. Unë nuk shoh disponim të shumicës për rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të tjera. Prandaj mocioni bie që është sfidë për Vetëvendosjen dhe jo për LDK-në, sepse atyre iu kanë mbetur letrat në duar”, tha Mustafa për KP-në.

Mustafa ka shtuar në partinë që ai udhëheq nuk është trajtuar pozita e presidentit. Veç kësaj ai tha çështja e presidentit nuk do të trajtohet derisa nuk do të sfidohen me mandatin kushtetues.

“Në LDK nuk është trajtuar pozita e presidentit dhe nuk do të trajtohet derisa nuk sfidohemi me mandatin kushtetues, prandaj edhe nuk kemi kurrfarë kundërshtimesh por as pajtimesh me askënd”, ka thënë Mustafa.

Ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është i gatshëm për postin e presidentit.