Brengosëse është duke u konsideruar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje nëse partitë nuk merren vesh për postin e presidentit. Ndonëse asnjëra prej partive nuk ka qëndrim të njëjtë me njëra-tjetrën lidhur me zgjedhjen e presidentit, kryetari i LDK-së ka ende shpresa se ato do të reflektojnë. Por, edhe pse nuk ka nënshkruar mocionin e VV-së për rrëzimin e Qeverisë, PDK-ja këtë të enjte ka bërë thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme
Në diskutimet për postin e presidentit, të cilat morën hov pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, partitë në pushtet nuk kanë qëndrime të njëjta, e as nuk shprehen shumë optimiste se mund të arrihet një dakordim mes tyre për këtë çështje. Që të gjitha, madje edhe PDK-ja që është në opozitë, kanë bërë të ditur se synojnë ulësen e kreut të shtetit. Megjithatë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka ende shpresa se ato do të reflektojnë në ndryshimin e qëndrimit të tyre.

“Nuk e shoh se kemi ardhur në një fund pa krye. Vlerësoj se subjektet politike parlamentare kanë treguar gjithherë përgjegjësi për stabilitetin institucional, prandaj mund të pritet reflektim. Në këtë situatë nuk shtrohet pyetja kush është më i miri, sepse çdo gjë është relative. Pyetja që duhet të marrë përgjigje është se cila zgjidhje është më e pranueshmja. Përgjigja duhet të jetë e përbashkët, e shumicës relevante, jo e një apo dy subjekteve. Kushtëzimi me zgjedhje nuk është zgjidhja”, ka thënë Mustafa në një deklarim për KOHËN. Ai e ka konsideruar brengosëse mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje nëse partitë nuk merren vesh për postin e presidentit.

“Shkuarja në zgjedhje është një proces normal. Por, shkaktimi i zgjedhjeve në pamundësi të gjetjes së zgjidhjes për presidentin është brengosëse. Në qoftë se tani mungon vullneti dhe ka barikadim, atëherë kush garanton se pas zgjedhjeve do të sigurohet shumica e nevojshme. Nëse prolongohet procesi, nuk pritet se do të bëhet më mirë”.

Ndonëse deri më tani nuk kanë iniciuar ndonjë mocion kundër Qeverisë, e as nuk kanë pranuar të përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje për një të tillë, Partia Demokratike e Kosovës shkuarjen në zgjedhje është duke e parë të vetmen zgjidhje. Deputeti Abelard Tahiri, derisa ka kritikuar qeverisjen aktuale dhe atë nën udhëheqjen e kreut të VV-së, Albin Kurti, ka thënë se Kuvendi është jofunksional dhe ka bërë thirrje që partitë të bëhen bashkë për shpërndarjen e tij.

“Është e pamoralshme të vazhdohet me këtë gjendje, sepse këtë vetëm qeverisje nuk mund ta quajmë, andaj është koha që mos të humbin as edhe një ditë të vetme, edhe ju që po e mbani peng pushtetin, edhe ne si opozitë që nuk i kemi votat për ta rrëzuar këtë qeveri, të ulemi dhe të dakordohemi për një datë që ky Kuvend të shpërbëhet. Pra, ky Kuvend është jofunksional”, ka thënë Tahiri gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Për dallim prej shefit të tij, shefi i Qeverisë, Avdullah Hoti, beson se partitë politike do ta gjejnë së shpejti një zgjidhje, duke lënë ende hapur dy rrugët që ka përmendur edhe më parë: zgjedhjen e presidentit të ri, apo zgjedhjet e reja.

“Tash jemi në një situatë specifike, ku duhet t’u japim drejtim çështjeve – zgjedhjes së presidentit, apo shkuarjes në zgjedhje. Besoj që në ditët e ardhshme do të arrijmë t’i koordinojmë këto aktivitete i gjithë spektri politik, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë për vendin”.

Pas përplasjeve mes LDK-së, AAK-së dhe PDK-së rreth zgjedhjes së presidentit, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se këto subjekte janë duke u munduar që të rrisin sa më shumë pazarin për poste, andaj edhe nuk janë duke përkrahur mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Për aq kohë sa këto subjekte kërcënojnë me zgjedhje dhe nuk e nënshkruajnë mocionin për rrëzimin e qeverisë të nisur nga VV-ja janë përbrenda negocimit për të kapur sa më shumë në pazarin për poste, gjithnjë nën panikun e madh për të mos shkuar në zgjedhje”, ka shkruar Arlind Manxhuka nga Vetëvendosje në “Facebook”.
Por, këtë deklaratë nuk kanë pranuar ta komentojnë nga AAK-ja. Në këtë parti nuk kanë treguar as nëse janë duke shqyrtuar mundësinë që t’i bashkëngjiten opozitës në rrëzimin e Qeverisë.

E dallimet e shfaqura në publik kanë bërë që partitë të vazhdojnë që nga distanca t’i shprehin qëndrimet e tyre, e të mos ulen në tavolinën e diskutimit, të ftuar nga kryetari i partisë që udhëheq me koalicionin qeverisës, Isa Mustafa, që ishte planifikuar të mbahej në fillim të këtij muaji.

Pjesëmarrjen në këtë takim deri më tani e ka refuzuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje. Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti, muaj më parë ka bërë të ditur se nga një takim i tillë synojnë të dalin me një qëndrim, nëse ka vullnet për t’u dakorduar për zgjedhjen e një presidenti të ri, e nëse jo atëherë për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Deri më tani, vetëm AAK-ja ka thënë se për kryetar të shtetit do ta propozojë kreun e vet, Ramush Haradinajn. Por, votë për Haradinajn, e as për ndonjë kandidat tjetër, nuk ka Partia Demokratike e Kosovës.