Kryetari LDK-së, Isa Mustafa sot ua ka përcjellë ambasadorëve të shteteve të Kuintit, OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Prishtinë një letër në të cilën siç njoftojnë nga zyra për informim e kësaj partie, ka sqaruar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës rreth tendencave të Presidentit Thaçi për zvarritjen e emërimit të anëtarëve të KQZ-së që nga 27 marsi i vitit 2018, duke e defunksionalizuar tërësisht këtë institucion kushtetues.

“Njëkohësisht, LDK njofton se letra sqaron dhe reagon ndaj tendencës së Presidentit Thaçi, pa baza ligjore e kushtetuese t’i garantojë koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit fatkeqësisht Presidenti ende ndihet shumicë në KQZ duke dëmtuar dhe shkelur të drejtat kushtetuese të LDK-së, të cilës i takojnë dy anëtarë në këtë komision, e jo vetëm një siç pretendon presidenti Thaçi”.

“Në fund kryetari Mustafa njoftoi se LDK-ja është tejet e vendosur të mbrojë të drejtën e saj për përfaqësim adekuat në KQZ në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe në rast të mos materializimit të kësaj të drejte do ta referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.

Të bashkangjitur gjeni letrën e skanuar dërguar për Ambasadorin e SHBA-ve Philip Kosnett, e cila u është përcjellë të gjithë të lartpërmendurve.