Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, në Interaktiv të KTV-së të mërkurën.

Pacolli kishte akuzuar ish-kryeministrat se kanë shkatërruar sistemin shëndetësor në vend. Ajo ka thënë se kryeministrat madje kishin kërkuar vetë trajtim jashtë vendit e madje edhe kanë dërguar familjarë për trajtim jashtë vendi. Aty ka përmendur nënën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vetë Mustafën.

Tani në reagimin e tij, Mustafa ka thënë se kjo është “logjikë fashiste!”

“Logjikë fashiste! Edhe të sëmurët s’guxojnë të shërohen ku ata kanë nevojë, por aty ku diktojnë trurët e shpërlarë. Të përgojosh nanën Rukë, nënën e dëshmorëve e të luftëtarëve të gjallë të lirisë është turpi i turpit. Është kulmi i idiotësisë individuale e kolektive, i mungesës së edukatës minimale familjare dhe e traditës kombëtare. Sa për shërimin tim në vend dhe jashtë vendit, e vërteta është se nuk i kam pyetur ata që më gjuajtën me mollotov, me gaz lotësjellës, me sprej syve; që tentuan atentate me iriqë të hekurt, që gjuanin me bomba shtëpitë dhe institucionet shtetërore. Sepse i gjallë je i tepërt për logjikën e tyre. IM”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndaj Pacollit ka pasur reagime të ashpra nga anëtarë të AAK-së gjatë ditës së enjte. Më vonë gjatë ditës, deputetja doli me një kundër-reagim duke thënë se vetëm ka kritikuar udhëheqjen e vendit nga qeveritë e kaluara.