Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kujtuar 29 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut.
Mustafa ka thënë se miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 ishte akti më me rëndësi për historinë e Kosovës.
“Miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 ishte akti me rëndësi vendimtare për historinë e re të Kosovës.
Kjo deklaratë ishte padyshim pikënisje e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Ky akt me vlera të veçanta historike ishte gjithashtu shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Shpreh mirënjohje të thellë për deputetët e Kuvendit të atëhershëm të cilët me përkushtim dhe vendosmëri në rrethana të jashtëzakonshme miratuan këtë deklaratë, duke shpallur Kosovën njësi të barabartë në federatën jugosllave.
Përpjekjet e popullit të Kosovës për pavarësi do të kujtohen në të gjithë brezat”, thuhet në deklaratën e Mustafës për media.