Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se pandemia COVID-19 nuk është një e mirë luksi, por një fatkeqësilli me të cilën po përballen gjithë qytetarët.

Ai ka bërë thirrje nga institucionet që të merren veprime për t’u eliminuar çdo diskriminim ndaj qytetarëve, çoftë me çmime të larta të pabaza apo edhe me marrëveshje të fshehta për eliminim të konkurrencës të atyre që janë licencuar.

Reagimi i Mustafës ka ardhur pasi në fundjavë qytetarët kanë reaguar se në laboratorin e vetëm privat ku po bëhen testet molekulare për Sars-COV2 në Kosovë, u është kërkuar 200 euro për një test PCR.

Në laboratorin “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë aksionar figuron baxhanakun e djalit të Isa Mustafës, ish-kreun e AKPPM-së, Jeton Shala, sipas të dhënave të ARBK-së.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga laboratori në fjalë ishte thënë se çmimi 200 euro është për test rapid rezultati i të cilit del pas maksimalisht një ore, ndërsa testi PCR Real Time kushton 65 euro dhe rezultatet merren për dy ditë.

“Virusi Covid-19 nuk është një e mirë luksi, që përballohet dhe konsumohet nga ata që kanë para. Është një fatkeqësi me të cilën po përballen qytetarët, pa dallim. Prandaj askush nuk mund të bishtërojë përgjegjësinë për çmimet që u caktohen qytetarëve. Në vend të arsyetimeve, institucionet përgjegjëse duhet të marrin veprime që të eliminohet çdo diskriminim i qytetarit, qofte me çmime të larta të pabaza, çoftë me marrëveshje të fshehta të eliminimit të konkurrencës, të atyre që janë licencuar”, ka shkruar Mustafa në Facebook.