Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se punëtorëve të sektorit privat do t’iu dalin shtesat prej 100 euro këtë javë.
Sipas Muratit, Komisioni tashmë ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriterët dhe se ka mbetur të përfundohen vetëm procedurat për ekzekutimin e pagesave.
“Për të punësuarit, periudha e aplikimit ka përfunduar javën që shkoi, dhe komisioni deri më tani ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret. Tani kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, dhe përfituesit që janë validuar do t’i pranojnë paratë në llogaritë e tyre këtë javë”, ka shkruar Murati.
Ndërkohë, sa i përket shtesave për studentët, Murati ka thënë se do të procedohen pagesat edhe për ta, pasi të përmbyllet aplikimi.
“Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta”, ka shkruar Ministri.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar ndarjen e 35 milionë eurove për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Kosovës.
“Pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masën 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar dhe masën 4.4 – Mbështetja e sigurisë. Sipas vendimit janë ndarë 35 milionë euro (35,000,000,00 euro) për zbatimin e masave për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe 35 mijë euro (35,000.00 euro) për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të masës për mbështetjen e sigurisë”, bëhet e ditur në njoftim.






