Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Qeveria ka lëvizur dhe që “procesi mësimor është marrë peng nga Sindikata e Arsimit”.
Murati e ka cilësuar si refuzim të pakuptimtë nga sindikatat ndaj hapave që ka ndërmarrë Qeveria dhe insistim të vazhdueshëm që të mos lëvizet nga kërkesat fillestare.
I pyetur nëse do të ndalen pagat e grevistëve këtë muaj, Murati ka thënë se do të bazohen në listat e dorëzuar për muajin shtator.
“Ndalja e pagave për grevistët nuk është vendim i qeverisë e as i imi e as dëshirë, por kështu e parasheh ligji kur ka greva. Dëshira jonë është që fëmijët të nisin mësimin”.
Ndërkaq, kryeministri Kurti në konferencën për media ka thënë thënë se në takim i kanë bërë një ofertë sindikalistëve, për të cilën ata kanë thënë se do të bisedojnë me anëtarësinë. Mirëpo, Kurti thotë se kjo nuk u bë, pasi anëtarët e Këshillit Grevist menjëherë pas takimit dolën thanë se greva vazhdon.
Kurti kërkoi sërish që greva të ndërpritet dhe mësimi të fillojë.
“Edhe një herë kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut e komunikimit. Në takim disa herë u tha të dalim nga kjo situatë edhe ju edhe ne. Unë besoj se në situatë të vështirë nuk është as qeveria as SBASHK, por arsimi dhe unë jam këtu ta ndihmoj arsimin. Si shtesë kësaj pakoje për përballje me inflacionin ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve, për të cilat na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Kështu na u tha në takim. Posa dolën nga takimi deklaruan për media se greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë. Ne u thamë se do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për projektligjin për pagat. Ne atyre ua dhamë lajmin e parë sepse këtë javë fillon diskutimi.
Të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK do ta bëjmë reformën në sistemin pensional, edhe për këtë u zotuam sot, dhe tjetra që tek barnat esenciale do të shtojmë edhe 10 milionë euro. Nuk e di çfarë anëtarësie është ajo e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë”, tha Kurti ndër të tjera.