Partitë opozitare në Kuvend kanë kundërshtuar projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore duke argumentuar se ky projektligj bie ndesh me Kushtetutën dhe i jep ekonomisë karakter centralist.
Ministri i Financave, Hekuran Murati në seancën e Kuvendit ka thënë se me këtë projektligj po synojnë të ndalojnë manipulimet e tregtarëve me çmimet e produkteve, shkruan Reporteri.net.
“Keni një projektligj, i cili ka për synim të rregullojë një problem që të gjithë pajtohemi se ekziston. Kemi pa deklarata të juaja, kemi pa edhe video të juaja për rritjen e çmimeve. Rritja e çmimeve ka dy faktorë kryesor kontribuues: importi, për shkak se për kaq vite me radhë nuk është bë asgjë për rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend. Çmimi i importit është rritur në nivel global dhe mbi të cilin Qeveria nuk ka kontroll, impakti i dytë është spekulimi i tregtarëve në vend, është abuzu me çmime nga shumica e tyre.
E kemi sjellë një ligj që e targeton problemin e dytë se për të parin e kemi të pamundur të marrim masa”, tha Murati në seancën e Kuvendit.
Tutje ministri Murati tha se vaji ushqimor aktualisht në Kosovë është duke u shitur me çmim 2 euro e 65 centë për litër, derisa çmimi i importit të tij dje ka qenë 1 euro e 40 centë. Murati tha se në këtë mënyrë marzha e fitimit për tregtarët është rritur 90 përqind.
“Çmimi i vajit figuron të jetë 2 euro e 65 centë për litër. A e dini sa është çmimi i importit të vajti që ka hy ditëve të fundit, 1 euro e 40 cent, shitja e tij është 2 euro e 65 centë. Marzha e fitimit është 90 perqind.
Nuk qëndron argumenti se ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën.
Me këtë ligj çmimi i vajit do të ishte të paktën 1 euro më lirë”, u shpreh Murati në seancën e Kuvendit.






