Liberalizmi i vizave për Kosovën nuk do të ndodhë as këtë vit. Pavarësisht deklarimeve të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinajt se Kosova do ta marrë liberalizimin e vizave si dhuratë për Krishtlindje, një gjë e tillë po konsiderohet e pamundur të ndodhë.
Njohësi i rrethanave politike, Artan Murati për Ekonomia Online thotë se viti 2019 është vit i humbur për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, ndërsa deklaratat e Haradinajt se këtë vit mund të ndodhë një vendim për liberalizim po i konsideron si të pavërteta.
“Kjo deklaratë është e pavërtetë sikurse shumë deklarata tjera të cilat po jepen për çështjen e liberalizimit të vizave sepse tanimë është më së e ditur që liberalizim të vizave për këtë vit nuk do të ketë sepse jemi shumë vonë, jemi në fund të vitit dhe më e shumta që mund të bëhet në këtë aspekt është që potencialisht të ishim pjesë e agjendës në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave nga presidenca finlandeze. Mirëpo edhe kjo është pak e besueshme meqenëse ne nuk kemi as institucione funksionale që nga muaji Korrik dhe për më tepër shtetit i Kosovës nuk është se ka pasur në agjendën e vet lobimin të shteteve që kanë skepticizëm për liberalizimin e vizave për Kosovën. Pra edhe në termat praktik edhe atë juridik viti 2019 është vit i humbur sa i përket liberalizimin e vizave dhe e them me përgjegjësi të plotë se këtë vit nuk mund të ketë lëvizje të lirë të qytetarëve drejt zonës Shengen”, thotë ai.
Ndonëse Kosova i ka përmbushur kriteret formale për liberalizim të vizave, Murati thotë kjo çështje ka mbetur peng vendimmarrja nga shtetet si Franca, Holanda dhe Gjermania.
Ai thotë se këto shtete po i frikësohen migrimit ilegal, i cili do të krijonte edhe probleme të brendshme politike në vendet e tyre.
“Praktikisht sipas udhërrëfyesit të cilën Kosova e ka pranuar nga Komisioni Evropian që nga viti 2010, Kosova i ka përmbushur kriteret formale për liberalizim, mirëpo tani kemi disa çështje të hapura me shtetet anëtare të BE-së. Aty ku ka mbetur peng edhe vendimmarrja sa i përket liberalizimit të vizave, pra shtete si Franca, Holanda, Gjermania, e kështu më radhë, të cilat janë shtete kryesore në BE kanë skepticizëm se liberalizimi jo vetëm se mund të keqpërdoret nga ana e kosovarëve mirëpo kjo mund të shkaktojë edhe telashe politike për lidershipin politik të këtyre vendeve, meqenëse këto shtete janë duke u përballur me migrim ilegal nga e gjitha botës dhe siç duke nuk dëshirojnë të kenë një problem tjetër edhe me qytetarët e Kosovës”, thotë Murati.
Institucionet e vendit javën që shkoi për dy ditë ishin nikoqire të vizitës së delegacionit nga Gjermania, konkretisht Ministrisë Federale për Punë të Brendshme, Ndërtim dhe Atdhe, për çështjen e liberalizmit të vizave.
Takimit janë mbajtur pa prezencën e medieve, përderisa për mbajtjen e takimeve u lëshua vetëm një komunikatë.
Ndonëse nuk bëhet i qartë qëndrimi i pjesëmarrësve në komunikatë thuhet se ata kanë vlerësuar si një hap të rëndësishëm përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.