Muajt e fundit, qytetarët po pajisen me certifikata të cilat, në mungesë të materialit origjinal, po shtypen në letër të thjeshtë. Zyrtarët komunalë thonë se gjendja e tillë nisi para tre muajsh, ndërsa nga Agjencia e Regjistrimit Civil janë udhëzuar që certifikatat të shtypen në letër të rëndomtë, me përjashtim personave që aplikojnë për viza në ambasada.
Shumë qytetarë, në mungesë të materialit origjinal, certifikatat e ndryshme po i marrin të shtypura në letër të thjeshtë. Qytetarja Edita Gashi, nga Prishtina, tha se pas marrjes së certifikatës së shtypur në letër të rëndomtë, është detyruar sërish të bëjë kërkesë për certifikatë origjinale, ngase për të aplikuar për vizë, ambasada nuk e pranon certifikatën e tillë.
“ Unë jam përballur me problemin e pajisjes me certifikatë origjinale. Pasi që kur kam shkuar për të nxjerr certifikatën e kam nxjerr në letër të thjeshtë, e kur kam shkuar të aplikoj për vizë jam detyruar të kthehem dhe të bëj kërkesë për certifikatë origjinale për arsye se e kam për aplikim për vizë. Në ambasadë kur kam shkuar nuk e pranuan certifikatën që nuk është origjinale.”
Drejtoresha e Administratës në Komunën e Ferizajt, Aurora Ramadani, tha se tash e tre muaj, është mungesë e letrës origjinale, për çka dy muaj më herët janë njoftuar nga Agjencia e Regjistrimit Civil që të fillojnë me shtypjen e certifikatave në letër të bardhë.
“ Ka rreth tre muaj që nuk jemi furnizuar me letër origjinale, pavarësisht kërkesave që kemi bërë në mënyrë të vazhdueshmet tek Agjencia e Regjistrimit Civil. E që dy muaj jemi të njoftuar nga Agjencia e Regjistrimit Civil që të fillojmë të shtypim letër të bardhë në mungesë të letrës origjinale.”
Sipas saj, posedojnë një sasi të materialit rezervë, por që shfrytëzohen vetëm për persona që lajmërohen për aplikime në ambasada, por kjo nuk e zgjidh problemin, tha Ramadani.
“ Mungesa e certifikatave origjinale është në të gjitha komunat dhe në komunën tonë nuk po pritet mirë nga ana e qytetarëve, mirëpo, po presim deri në njoftimin e radhës nga ana e Agjencisë së Regjistrimit Civil se kur do ta përfundojë shpalljen e tenderit. Dhe kjo po shkakton pakënaqësi të shumta te qytetarët, pavarësisht që kemi një sasi të materialit rezervë që po shërbehen vetëm për personat që kanë nevojë për termin në ambasada.”
Ndërsa, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, e ka konfirmuar se ka mungesë të letrës origjinale për pajisjen e qytetarëve me certifikata. Me gjithë përpjekjet e shumta nga Radio Kosova për të marrë përgjigje për këtë çështje nga Ministria e Punëve të Brendshme, këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen.