Çmimi i bukës arriti në 60 centë në disa furra të vendit gjatë ditës së djeshme. Si arsye u dha rritja e çmimeve të shumë produkteve. Por, këtë shtrenjtim po e konsiderojnë të padrejtë dhe të paarsyeshëm në Shoqatën e Mullistëve.

I pari i mullistëve, Bashkim Zejnullahu ka thënë se është e palogjikshme që të ngritet çmimi i bukës kur çmimet janë në rënie.

Sipas Zejnullahut, gruri e mielli janë shitur më lirë gjatë kësaj jave dhe së pritet të lirohen ende gjatë ditëve në vazhdim.

“Është e padrejtë, është jologjike edhe e paarsyeshme. Ka rënie të çmimit të grurit dhe të miellit. Para sezonës kjo është normale dhe logjike. Tash javën e fundit kemi rënie të çmimeve dhe presim rënie të çmimeve të mëtutjeshme. D.m.th nuk vjen si arsye e lëvizjes së çfarëdo çmimi të miellit në treg apo edhe mungesës që ish paraqit. Nuk ka mungesa, ka sasi të mjaftueshme. Presim për një javë të fillojmë me sezonën e grurit. Çmimet janë në ramje, jo në ngritje. Lëvizjet e djeshme të çmimeve i shoh shumë të paarsyeshme”, ka thënë Zejnullahu për Express.

Ai ka mohuar të ketë mungesës të grurit në vend.

“Herët është më fol për rendimentin, tek fundi i javës së ardhshme na tregon se si do të sillen regjionet se nuk janë të gjitha regjionet njëjtë. Do të përgatitemi na për çdo situatë. Mirëpo, herët është për të folur për grurin e ri. Por, ka mjaftueshëm grurë të vjetër edhe jemi shumë të përgatitur. E dini se kam komentuar në muajin shkurt, kam thënë se kemi për dy muaj rezerva dhe erdhëm në sezon dhe jemi shumë stabil. Në regjion jemi me çmimin më të ulët të miellit.

Tutje, Zejnullahu ka thënë se s’mund të përzihen në çmimet që vendosin bizneset individuale, por se për ta është i paarsyeshëm një vendim i tillë.

“Në biznese individuale s’mund të përzihemi, është e drejtë e çdokujt ta shes mallin e vetë në çfarëdo forme, është tregu i lirë. Por, nuk mendoj që është e paarsyshme sepse çmimet janë në rënie, jo në ngritje. E paarsyeshme që sot të ngritet çmimet e bukës, shumë e paarsyeshme madje”, ka deklaruar Zejnullahu.

Ndryshe, me sipërfaqet që janë mbjellë me grurë në vjeshtë, importi nga shtetet e tjera mund të jetë i pashmangshëm.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret gjatë këtij viti është 66,159.52 hektarë

Krahasuar me të mbjellat e vitit 2020, janë rreth gjashtë mijë hektarë më pak.

“Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2021 me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 66,159.52 hektarë. Si material bazë për të dhënat e këtyre mbjelljeve vjeshtore kanë qenë të dhënat e Drejtorive Komunale të Bujqësisë dhe bazuar në këto të dhëna, sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret gjatë këtij viti është 66,159.52 hektarë”, kanë deklaruar nga MBPZHR’ja.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, me sasinë e grurit që ishte prodhuar në vitin 2021, Kosova ka plotësuar nevojat me grurë për 67 për qind.

Pjesa tjetër e nevojave është mbuluar nga importi.

“Ndërkaq, bazuar në raportin e korrje shirjeve të vitit 2021, duke pasur parasysh sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e grurit prej 72,272.75 ha, e cila është korrur gjatë atij viti dhe rendimentin mesatar prej 3,804 kg/ha, Kosova për vitin 2021 ka prodhuar rreth 274,922.70 ton grurë. Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 400,000 ton grurë. Me sasinë e grurit të prodhuar në vitin 2021 Kosova arrin që t’i plotësojë nevojat me grurë në masën prej 67 për qind”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

E pavarësisht se disa prej shteteve prej të cilave Kosova e blente grurin viteve të fundit, e pezulluan eksportin pas luftës në Ukrainë, vendi ka gjetur zgjidhje, duke e siguruar këtë produkt nga shtetet e tjera.

Sipas statistikave nga Dogana e Kosovës, shteti ynë ka importuar grurë në vlerë gati 12 milionë euro.

Ky import është realizuar nga shtatë shtete. Vendi prej të cilit është blerë më së shumti grurë është Serbia, prej së cilës ka importuar grurë në blerë mbi tetë milionë euro, e pasuar nga Franca.

Shtete tjera prej të cilave kosovarët janë furnizuar me grurë këta muaj janë edhe Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.