Lokale - eSIMy

Këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Fitim Muçolli, ka kritikuar Komunën pasi që sipas tij, nuk ka menaxhim të mirë të buxhetit, transmeton Llapi.info

Muçolli këto kritika i ka bërë përmes një postimi në ‘Facebook’ duke thënë se qeverisja komunale në Podujevë nuk di të planifikojë e as të shpenzojë.

“Po e ndaj një shqetësim me ju si përfaqësues i juaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, lidhur me Raportin Financiar për periudhën janar-shtator 2018. Buxheti u nda ndërsa ne kishim dyshime se nuk do të përballonte të gjitha nevojat urgjente të cilat i kanë llapjanët. Por shqetësimet u rritën me publikimin e raportit financiar. Aty pamë se është shpenzuar vetëm 55.72 % e tij. Për periudhën janar-shtator, pra për 9 muaj është shpenzuar vetëm 55.72% e buxhetit. Kjo tregon për një mosmenaxhim të mirë të tij dhe rrezikun për keqpërdorim të tij në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Muçolli.

Sipas tij, në inevstimet kapitale janë shpenzuar vetëm 28 për qind e buxhetit të planifikuar në këtë drejtim.

“Ato pak projekte të përfunduara, dhe ato tjera të nisura janë përzgjedhur në baza partiake, kanë qenë shpërblime për votat e dhëna gjatë zgjedhjeve. E ajo çfarë vërtetë kanë nevojë llapjanët janë investimet kapitale, ato janë e vetmja formë përmes së cilës qytetarët do të mund të përmirësonin standardin e tyre të jetesës. Planifikimi i buxhetit parashihte që në investime kapitale të shpenzoheshin 6 milionë e 489 mijë euro por janë shpenzuar vetëm 1 milionë e 859 mijë, pra vetëm 28% e buxhetit të planifikuar, kjo me të vërtetë është shqetësuese. Shqetësuese janë këto publike, andaj keqmenaxhuesit dhe të korruptuarit duhet dhënë llogari para qytetarëve”, ka përfunduar këshilltari Muçolli./Llapi.info