Përfaqësuesi i estradës muzikore, Afrim Muçiqi sonte e quajti absurd masën e qeverisë të datës 5 prill, për organizmin e dasmave me 10 persona.
Ai ndër të tjera në “Click” u shpreh se ndoshta do të planifikojnë të ngrisin padi për atë fjali, siç e quajti ai, jashtëzakonisht fyese, shkruan rtv21.tv “Dasma me 10 persona kemi ba në kohë të luftës kur kemi qenë të ozurpuar prej okupatorit dhe s’kemi pasë mundësi”, tha ndër të tjera këngëtari.
Qeveria e Kosovës më 6 prill ka ndaluar tërësisht organizimin e dasmave dhe të pameve në Republikën e Kosovës. Megjithëse, gjatë ditës së 5 prillit ishte thënë se do të lejohen dasmat deri në 10 persona, në vendimin e publikuar nga Qeveria e Kosovës, është potencuar se pavarësisht numrit të personave, të pamet dhe dasmat do të ndalohen. “Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).
Përjashtimisht, mbajtja e pamjes ndalohet”, thuhej për pikën 21 në vendimin e djeshëm, ndërsa të martën kjo është zëvendësuar me “Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, homazhet). Përjashtimisht, pavarësisht numrit të personave mbajtja e të pames dhe dasmave ndalohet”./21Media