Llapi sot ka marrë tri pikë të mëdha, duke mposhtur Lirinë si vendase në Prizren me rezultat 1:2, njofton Llapi.info

Pas kësaj ndeshje, trajneri i Llapit Tahir Batatina, ka thënë se loja me taktikë 4-4-2 funksionoi në Prizren.

“Duke e njohur Lirinë që ka shumë futbollistë cilësorë e me përvojë nga Shqipëria, ne u desh që të luajmë me një taktikë të lojës 4-4-2 e cila funksionoi dhe kështu iu hakmorëm Lirisë për humbjen që na kishte shkaktuar në Podujevë”, deklaroi Batatina për SuperSport.

Ai shtoi se ekipi i tij në pjesën e dytë luajti hapur.

“Në Pjesën e dytë hapa kartat duke u thënë futbollistëve se, ose t’i marrim tri pikë ose t’ia japin Lirisë. U mbrojtëm mirë dhe arritëm të fitojmë”, shtoi Batatina, i cili foli edhe për Mirlind Dakun e Mentor Zhdrellën.

“Nga koha e Fadil Vokrrit e këndej nuk kam parë lojtar si Mirlind Daku që me vetëm 19 vjet të gjuajë penallti të tillë, është fantastike. Gjithashtu edhe Mentor Zhdrella, një futbollist që nuk ndalet për asnjë sekond së vrapuari. Duhet të mësojmë shumë nga ai”.

Krejt në fund, Batatina theksoi se ekipi i tij nuk është dorëzuar në luftë për titull.

“Do të shkojmë nga ndeshja në ndeshje, jemi të qetë dhe të shohim se çka do të dalë. Kemi ndeshje direkte me Dritën dhe Prishtinën. Presioni më nuk është te ne, pasi nuk jemi në vend të parë”, përfundoi Batatina./Llapi.info