Lokale - eSIMy

Fillimi i zgjerimit të rrugës së qendrës “Zahir Pajaziti”, dhe ndërtimi i kanalizimit fekal në kuadër të ‘Bulevardit’, në këtë kohë ka bërë që rrugët në qendër të Podujevës të pushtohen nga lloçi i shumtë, shkruan Llapi.info

Pas reshjeve të borës të e që sot është shkrirë tërësisht, ka bërë që të vështirësohet qarkullimi, sidomos për këmbësorë që detyrohen të kalojnë në rrugë të destinuar për vetura.

Në bazë të disa fotove të siguruara, shihet prezenca e madhe e lloçit nëpër rrugët dhe trotuaret e qytetit e të cilat edhe janë më të frekuentuara.

Për këto punime, kritika të shumta patën dhënë këshilltarët opozitarë. Fitim Haziri nga Lëvizja Vetëvendosje ndërtimin e kanalizimit në këtë kohë e ka quajtur mashtrim, pasi që sipas tij, punimet është dashur të nisen kohë më parë e jo në kohë kur edhe ka të reshura.

“Projekti në fjalë ka qenë i gatshëm që në vitin 2017, po të kishte vullnetin dhe dëshirën Veliu do mund t’i fillonte punimet qysh në fillim të vitit 2018, por e ka zgjedhur kohën e nëntorit kur fillojnë të reshurat e shiut dhe borës, të cilat e pamundësojnë realizimin e këtij projekti”, pati thënë Haziri.

Edhe zgjerimi i rrugës së qendrës “Zahir Pajaziti”, dhe largimi i kubëzave nga trotuari, ka bërë që të vështirësohet qarkullimi për këmbësorë.

Rafet Llapashtica nga Partia Demokratike e Kosovës në Podujevë, pati thënë se rruga nuk është dashur të prishet në të dyja anët përnjëherë.

“Vetëm dy kompani janë përfituese në Podujevë, s’ka ndryshim prej janari në Podujevë. Veçse rruga “Zahir Pajaziti” kah shkolla ekonomike është bllokuar, vijës së asfaltit nxënësit detyrohen me ecë. Duhet me ecë ka vija e asfaltit se s’po kanë ka me ecë as të tjerët”, pati thënë ai në një seancë të Kuvendit Komunal./Llapi.info