Jose Mourinho ka thënë se nuk dëshiron të flasë për largimin e tij nga Manchester Unitedi për shkak të respektit për ish-kolegët.
Portugezi u shkarkua të martën pas dy vjetësh e gjysmë në detyrë. Unitedi aktualisht është i gjashti në Premier Ligë, me 19 pikë prapa liderit Liverpool.
“Kam qenë jashtëzakonisht krenar që kam bartur stemën e Manchester Unitedin që nga dita e parë që kam arritur dhe besoj se të gjithë fansat e dinë. Çdoherë që mbyllet një kapitull, tregoj respektin më të thellë duke mos komentuar për ish-kolegët”, ka thënë Mourinho përmes një njoftimi për media.
Ish-sulmuesi i “Djajve të Kuq”, Ole Gunnar Solskjaer ka marrë pozitën e trajnerit deri në fund të sezonit.
Mourinho është kthyer tani në Londër dhe ka kërkuar nga mediat të respektojnë privatësinë para se të kthehet në futboll sërish.
Për “SkySports”, ka thënë po ashtu se “Isha gjithmonë kritikë për trajnerët që largohen nga klubet dhe më pas flasin për detajet se çka ka ndodhur, e kush është fajtori. Kam mundur të flas, por ky nuk jam unë. Deri kur të kthehem, mendoj se kam të drejtën që të jetoj jetën time normale. Manchester Unitedi ka të ardhme pa mua dhe unë kam të ardhme pa Manchester Unitedin”.