Në Kosovë, në pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat pasditen e së hënës do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Reshje shiu parashihet të ketë edhe ditën e martë dhe të enjte.
“Temperaturat minimale do të shënojnë rritje krahasuar me minimalet e ditëve të fundit, ndërsa temperaturat maksimale mbeten pothuajse konstante me ditët paraprake. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 6-10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-25 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga jugu dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-9m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Gjithashtu, sipas IHMK-së, indeksi UV mbetet i ulët deri mesatar, kështu që kushtet biometeorologjike do të jenë të favorshme për gjitha shtresat e popullatës, ndërsa reshjet e shiut do të ndikojnë shumë pozitivisht në fushën e bujqësisë, sidomos për përgatitjen e tokave për mbjelljen e kulturave vjeshtore.