Propozimi i masave të reja për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ndonëse u tha se do të miratohen gjatë ditës së djeshme, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Telegrafi ka mësuar nga burime brenda partive në koalicion se ende nuk ka pajtim final mes ministrave që vijnë nga partitë politike LDK, AAK e NISMA Socialdemokrate, për vendosjen e këtyre masave.

Për këto masa pritet të diskutohen sot në mbledhjen e Qeverisë, e cila sipas burimeve të Telegrafit pritet të mbahet në formë virtuale (online).

Telegrafi po ashtu ka mësuar se disa nga ministrat e kabinetit qeveritar janë kundër izolimit, gjë që ka bërë që këto masa të mos hyjnë në fuqi ende.

Kujtojmë se dje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka mbajtur një takim me kryetarët e komunave ku është diskutuar për vendosjen e masave të reja për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.


Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti pas këtij takimi deklaroi se Qeveria ka rekomanduar mbylljen e Prishtinës për një javë, mirëpo ai e ka kundërshtuar një gjë të tillë.

Ahmeti theksoi se ndarja e Komunave me statistika (të infektuar në 100 mijë banor) kur as numri i infektuarve e as numri i banorëve nuk është i saktë jep pasqyrë të padrejtë dhe masa joproporcionale për komunat.

Masat janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e bizneseve duke thënë se para vendosjes së masave të reja, Qeveria duhet të aprovojë pako ndihmesë për bizneset, gastronominë dhe sektorin privat.

Ditëve të fundit në vend ka pasur rritje alarmante të rasteve të reja me COVID-19 e po ashtu edhe numrit të personave që kanë humbur jetën nga ky virus.