Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në veri.
Siç ka bërë të ditur Policia, i dyshuari është N.O me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai është i dyshuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR më 29 maj të muajit të kaluar.
Ndërkohë, siç raporton Kossev, N.O është arrestuar mëngjesin e sotëm në vendin e tij të punës në një autolarje në afërsi të stacionit të autobusëve në veri të Mitrovicës.
Ndërkohë në rrjete sociale po qarkullon një video ku shihet momenti i arrestimit të N.O nga Policia e Kosovës në autolarje.
Policia e Kosovës në komunikatën e lëshuar sot në lidhje me këtë rast, bën të ditur se arrestimi dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore
“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”, bëri të ditur Policia.
Kujtojmë se deri më tani janë arrestuar edhe katër serbë të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve në javët e fundit në veri.