Një dyqan është grabitur me armë nga katër persona në mbrëmjen e së enjtes, në lagjen “Dardania”, në Prishtinë. Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Zëdhënësi Daut Hoxha ka bërë të ditur për Gazetën Express se Policia ka arritur të arrestojë njërin nga të dyshuarit.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta operative dhe atyre hetimore që ka ndërmarrë Policia është bërë e mundur kapja e një të dyshuari, si dhe gjetja e një arme që dyshohet që i dyshuari ta ketë pasur me vete në kohën kur është kryer grabitja”, ka thënë Hoxha.
Televizioni Klan Kosova ka publikuar pamje nga momenti kur Policia ka kryer arrestimin.