Lokale - eSIMy

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, së fundmi ka reagur rreth kërkesës së ministrit të Mbrojtjes Armend Mehajt, i cili tha se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO dhe BE.

Molliqaj u shpreh se një gjë e tillë është qasje e gabuar dhe sipas tij është zhvendosje e temës, pasi që nuk ka mundësi anëtarësimi pa njohjen e katër vendeve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, shkruan ai në profilin e tij zyrtarë në Facebook.

Postimi i tij:

Rruga drejt NATO-s është përmes paqes në Ballkan.
Thirrja për anëtarësim në NATO është qasje e gabuar, nëse jo naive ose dashakeqe e manipulative. Është zhvendosje e temës. Është lajthitje. Nuk ka mundësi anëtarësimi pa njohjen e katër vendeve anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Lloji i diskutimit që po ndodhë është pa bazë dhe i gabuar.
Rruga drejt NATO-s shkon përmes paqes në Balkan, përmes marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Idetë për rrugë tjera që kanë pikënisje NATO-n nuk janë as realiste dhe vetëm e zhvendosin temën nga përgjigja e vërtetë ndaj problemit. Konfliktet eventuale me Serbinë kanë adresë zgjidhjen përfundimtare. Çdo hap tjetër është shmangie.
Për më tepër, ky moment duhet të na alarmojë për rëndësinë e jetës së njerëzve dhe mirëqenies së tyre, ngado që ata jetojnë. Pikëvështrimin nga ku shohim të ardhmen tonë drejtë barazisë mes dy vendeve është motivi i luftës tonë. Ripërcaktimi i kufijve është mundësi dhe zgjidhje. Mungesa e guximit nga ana e Qeverisë së Kosovës do t’i kushtojë vendit tonë, ndërsa kurthimi i hapave vetëm sa na vonon.