Lokale - eSIMy

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka komentuar darkën “joformale” që u shtrua mbrëmë në Berlin për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai e ka quajtur këtë darkë të gabuar, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Darka e kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq është e gabuar. Është e gabuar jo për shkak se janë takuar por për shkak se Kurti po i prin dialogut me darka para dialogut. Kosova ka nevojë për dialog, Kosova ka nevojë për marrëveshje. Por kjo rrugë e Kurtit është më shumë qasje për publikun e populliste sesa qasje e duhur për zgjidhjen e problemeve. Kurti e din këtë. Madje vet Kurti do t’i flisë më së miri vetes për këtë”, ka thënë Molliqaj.

Sipas tij, kjo qasje e Kurtit, është e dëmshme për Kosovën.

“Pjesa e dytë e problemit të që është më e rëndësishme se e para, është sepse kjo qasje është qasje e dëmshme për Kosovën për Ballkanin dhe për paqen. Duke i pranuar temat dhe kornizën e dialogut, pra Asociacioni dhe të ngjashme, krijimi i entitetit territorial e politik e kulturor e ekonomik i komunitetit serb në Kosovë, ajo rrugë nuk ka asnjë shancë as të përfundojë me njohje nga Serbia dhe as të zgjidh problemin siç do të duhej në mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi tutje kryetari i PSD-së.

Me tej, Molliqaj, tha se me këtë rrugë që Kurti e ka zgjedhur, rezultati është i qartë.

“Kur të futesh në këtë rrugë atëherë rezultati është i qartë. Ja e pranon këtë rezultat i cili nuk e bënë Kosovën funksionale, ja në fund mund të bësh teke personale e të refuzosh marrëveshje të cilat ia vazhdojnë Kosovës status-quo-në. Të dyja këto janë të dëmshme. Tani ne nuk kemi nevojë më as të shpresojmë e as të presim që ky kryeministër mund të qoj diku tjetër sepse ky është nisur në rrugën dhe mënyrën e gabuar”, vazhdoi tutje ai.

Për fund, ai i ka ftuar të gjithë që të mobilizohen për kritikë e protestë.

“Neve na duhet tani organizim e mobilizim, kritikë e protestë sepse Kosova është më shumë se Kurti, më shumë se teket e tij e më shumë se bindjet e tij të gabuara. Prandaj e ftoj secilin, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, por që mund të kemi pajtime sesi duhet të jetë Kosova përpara, sa i përket kësaj çështjeje, të bëhemi bashkë sepse nuk jemi pak. Jemi pak sepse jemi të ndarë, e do të bëhemi shumë kur të jemi bashkë”, përfundoi Molliqaj.