Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se i vetmi pendim i ministrit Hekuran Murati, është dorëheqja nga posti.

Molliqaj këtë e ka thënë nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, duke thënë se pavarësisht kësaj, protesta vazhdon.

“Pendimi i vërtetë është dorëheqja. Shihni kalendarin: dy dite reagime në rritje dhe dy orë pas thirrjes së protestës, ministri Murati reagon. Tepër vonë për të qenë e sinqertë. Çdo kërkim falje ka qëllim amortizimin e revoltës. Dhe ruajtjen e vetës, kuptohet”, ka thënë Molliqaj.

“Presioni nuk pranohet. Protesta vazhdon”, përfundon postimi i tij.

Reagimi i Molliqajt vjen pasi ministri Murati ka sqaruar deklaratën ofenduese për veteranët, ku thotë se është shprehur në formë mllefi ndaj fryrjes së lisave të veteranëve që, sipas tij, po shtrembëronin historinë e luftës.

“Shkrimet e para disa viteve kanë qenë nga mllefi me ata që asokohe me fryrjen e listave për përfitime financiare e politike po shtrembëronin historinë e luftës dhe të vërtetën tonë kolektive. Ju siguroj se ato shkrime nuk kanë pasur synim ofendimin ndaj ushtarëve dhe dëshmorëve”, thuhet mes tjerash në postimin e tij.