Kryetari i sapozgjedhur i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se sot Partia Socialdemokrate iu përgjigj thirrjes për të mos e ndalur përpjekjen, përkundër zhvillimeve të fundit elektorale.

Ai thotë se sot treguan që nuk e shohin politikën përmes rezultatit afatshkurtër zgjedhor, por përmes idealeve dhe kauzave që u besojnë.

“Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheqi PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë”, thotë ai.

Molliqaj thotë se përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare.

“Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë”, ka thënë ai.

Vetëm përmes perspektivës së aktivizmit dhe angazhimit këmbëngulës, Molliqaj thotë se mund të shohin përtej pashpresës e zhgënjimit.

“Bashkë, sot e pamë të ardhmen tonë në politikë. Të ardhmen si përpjekje e pandalshme edhe kur gjithçka përreth na thotë të ndalemi; të ardhmen si rrugë përplot me vështirësi, sfida e përbuzje. Por të ardhmen që në fund patjetër do të jetë e ndritur”.

“Ju falenderoj për entuziatmin e mbështetjen që e treguat sot. I falenderoj gjithë strukturat e deritashme drejtuese të PSD-së, së bashku me të cilët i përballëm fazat e vështira të së kaluarës”, ka shkruar ai.

Në befasi, PSD-ja zgjodhi Dardan Molliqajn për kryetar

Partia Socialdemokrate ka zgjedhur kryetarin e ri.

I vetmi në garë, Dardan Molliqaj, është zgjedhur në krye të PSD-së, pas tërheqjes së Shpend Ahmetit nga kjo pozitë.

Për kryetar të socialdemokratëve, fillimisht janë prezantuar pesë kandidatë, prej të cilëve vetëm Molliqaj ka pranuar kandidaturën.

Shpallja e rezultateve dhe fjala e Molliqajt si kryetar, është bërë pa praninë e mediave. As pas përfundimit të procesit zgjedhor të kësaj partie, kryetari i ri i saj nuk ka pranuar të deklarohet.

Detajet nga kuvendi i PSD-së, i bëri të ditura zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi.

Megjithatë, Kuçi nuk pranoi të tregojë kush janë katër anëtarët e tjerë të PSD-së, të cilët, ndonëse u propozuan, nuk pranuan të jenë kundërkandidatë të Molliqajt.

Derisa ishin duke vazhduar procedurat për zgjedhjen e strukturave të reja të PSD-së, kryetari i deritanishëm i saj, Shpend Ahmeti, bëri të ditur se nuk do të kandidojë për asnjë pozitë brenda Partisë Socialdemokrate. Një ndër arsyet për këtë, sipas Ahmetit, është edhe rezultati në zgjedhjet e 6 tetorit.

PSD-ja, përkundër koalicionit parazgjedhor me AAK-në, nuk arriti të sigurojë asnjë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Nga 227 delegatë sa morën pjesë në votim, 83.7 për qind e tyre votuan për kryetar të ri Dardan Molliqajn.