Kryetari i ri i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se vetë ka preferuar një koalicion parazgjedhor me LDK-në, për zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas tij, një koalicion i tillë do të fitonte zgjedhjet.

Në Rubikon të KTV-së, duke komentuar dështimin në zgjedhje, ku PSD-ja s’arriti të marrë asnjë ulëse në Kuvend, si pjesë e koalicionit me AAK-në, Molliqaj ka thënë se edhe ky koalicion i ndëshkoi.

“Ne gabuam, ne i morëm vendimet, nuk na tha askush t’i bëjmë. Një rrugë të cilën ne vendosëm të bëjmë, por që të tjerët nuk e pranuan, ne kemi vendosur me vetëdije ta mbështesim ekipin negociator. Nuk kam qenë i bindur që ky koalicion do ta binte rezultatin që unë dhe të tjerët kishim dëshirë ta kemi. Unë kam preferuar në atë kohë se koalicioni më i mirë do të ishte me LDK-në, por s’ka pasur vullnet, pothuajse fare, për shkak të arrogancës aty”, ka thënë ai.

Sipas Molliqajt, kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, është takuar dy herë fshehtas me presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se tashmë është e ditur se Albin Kurti ka pranuar kushtet e amerikanëve, ku përfshihet vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe bashkëpunimi me presidentin Hashim Thaçi, Gjykata Speciale dhe bashkëpunimi me listën serbe.

“Tashmë janë dy takime që janë mbajtur mes presidentit dhe kandidatit për kryeministër, Albin Kurti. Një është mbajtur jashtë vendit dhe një brenda vendit, të dyja janë mbajtur fshehtë nga publiku. Nuk kam asgjë kundër për mbajtjen e takimeve por jam kundër asaj që nuk po i bëjnë publike”, ka deklaruar ai.