Luka Modriq është duke u përgatitur të udhëtojë me familjen e tij në Paris të hënën, përkrah një kontingjenti të lojtarëve të Real Madridit, ndërsa mesfushori kroat po pritet të fitojë çmimin e madh të futbollit “Ballon D’Or” (Topi i artë). Ceremonia do të nisë në orën 21:00 dhe organizohet nga revista që ndan çmimin, “France Football”.
Lojtari i Real Madridit po pritet të kompletojë koleksionin e çmimeve individuale të këtij viti, pasi më herët u shpall lojtari më i mirë i Botërorit 2018 në Rusi, si dhe lojtari më i mirë i vitit nga UEFA dhe lojtari më i mirë i vitit nga FIFA.
“Topi i artë” do t’i vinte kapak vitit më të madh në karrierën e Modriqit, ndërsa ai po shkruan historinë. Së pari, për shkak të numrit të titujve dhe shpërblimeve që i ka marrë qëkur fitoi Botërorin e klubeve në dhjetorin e kaluar, shkruan Marca, transmeton “Koha Ditore”. E dyta, pasi që i dha fund dominimit të dyshes Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, që zgjati një dekadë, një dominim që dukej se nuk do të merrte fund.
Pak kanë besuar se përderisa Messi e Ronaldo janë aktivë, ndonjë lojtar tjetër do të marrë çmimet më të mëdha individuale, të cilat i kanë ndarë mes vete që nga viti 2008.
Tifozët, trajnerët, lojtarët dhe gazetarët kanë vlerësuar gjerësisht se Modriq ka qenë para të tjerëve këtë vit.
Disa çmime individuale njohin lojtarin si më të mirin brenda një stinori që shtrihet në dy vite, ndërsa “Ballon d’Or” jepet për një vit kalendarik.
Modriq sa u përket sukseseve në vitin 2018, me Real Madridin fitoi Ligën e Kampionëve për herë të tretë rresht, ndërsa me Kroacinë arriti në finale të Ligës së Kampionëve ku u ndal nga Franca.
Konkurrent i Modriqit për të fituar “Topin e artë” është superylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo. Lojtari i tretë i nominuar për këtë çmim është Antoine Griezmann i Atletico Madridit.
Pas shumë vjetësh superylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, nuk është përfshirë në treshen finale.