Një mjek që trajtoi një grua e cila u zgjua nga koma pas 27 vjetësh, ka folur për momentin “emocionues” kur ajo filloi të flasë përsëri dhe tha se rasti i saj është i rrallë, transmeton Klan Kosova.
Munira Abdulla u lëndua gjatë një aksidenti teksa po e dërgonte djalin e saj Omar Webair, në shtëpi nga shkolla në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 1991. Ajo ishte 32 vjeçare në atë kohë ndërkaq djali katërvjeçar.
Ndërsa Webair pësoi vetëm disa lëndime, nëna e tij pësoi një dëmtim të rëndë të trurit. Përkundër trajtimit në spitale në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Londër dhe Gjermani, besohej se ajo kurrë nuk do të zgjohej më.
Pastaj papritmas, qershorin e kaluar, ajo ia doli. Familja e saj ka folur publikisht rreth historisë së saj gjatë ditëve të fundit, në mënyrë që t’ju japin shpresë njerëzve që kanë të dashurit në koma afatgjata.
Në një intervistë telefonike, Dr.Friedemann Muller, neurokirurg në Klinikën Schoen në Bad Aibling të Gjermanisë, ku edhe u trajtua pacientja, tha për NBC News se Abdulla u vetëdijësua pas disa muajsh me terapi.
Mjeku tha se kur ajo arriti në spital, vetëm sytë e saj ishin në gjendje të lëviznin.
“Nuk është si zgjimi në mëngjes”, tha ai. “Ishte një proces gjatë javëve, ndërsa reagimet dhe vokali u rritën dhe përmirësoheshin”.
Djali i Abdulla ishte më optimist kur dëgjoi nënën duke nxjerrë tinguj, tha Muller. Shumë shpejt, Abdulla e tha qartë emrin e djalit të saj, përshëndeti mjekët në gjuhën arabe dhe filloi të citonte vargje nga Kur’ani.
“Kur e kuptuam që ajo po fliste me ne, ishim të mahnitur”, tha mjeku.
Klinika trajton rregullisht pacientët që kanë qenë në koma për javë ose muaj, që pastaj rifitojnë vetëdijen – por kohëzgjatja e kohës që Abdulla ishte në koma, bëri që të jetë një rast jashtëzakonisht i rrallë.
“Askush nuk kishte dëgjuar ndonjëherë që dikush të zgjohet nga koma pas 27 vjetësh”, tha ai.
Webair i tha gazetës The National me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe: “Ajo po nxirrte tinguj të çuditshëm dhe unë vazhdoja t’i thërrisja mjekët për ta kontrolluar atë. Ata thanë se gjithçka ishte normale”.
“Pastaj tri ditë më vonë, u zgjova me zërin e dikujt që më thërriste emrin tim, ishte ajo, ajo e shqiptoi emrin tim. Po fluturoja nga gëzimi, për vite e kam ëndërruar këtë moment”.
Webair ka thënë se e ka ndarë historinë e nënës së tij për t’i dhënë të tjerëve shpresë.
Tani përsëri në Emiratet e Bashkuara Arabe ajo po merr kujdes të rregullt spitalor. Gruaja ende vuan nga pasojat afatgjata të dëmtimit të trurit.
Ajo është e kufizuar në një karrige me rrota, edhe pse mjekët kanë parë përmirësim në lëvizjen e saj të dorës kohët e fundit.
Muller tha se ka gjasa të ketë gjithnjë nevojë për kujdes, por tani është në gjendje që me vetëdije të perceptojë ambientin e saj dhe të komunikojë duke përdorur fjalë, transmeton Klan Kosova.