Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, të shoqëruar nga Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, vizituan Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku një ekip i mjekëve italianë, në bashkëpunim me mjekët kosovarë, po kryejnë operacione të ndërlikuara tek fëmijët me probleme në zemër.

Kardiokirurgët italianë po qëndrojnë në Prishtinë, në kuadër të një projekti, me qëllim të trajnimit dhe aftësimit të mjekëve të Qendrës Klinike Universitare në fushën e Kardiokirurgjisë Pediatrike.

Ministri Ismaili tha se operimet, që po kryhen këto ditë, vendosin themelet e Kardiokirurgjisë për Fëmijë në QKUK.

“Ky është qëllimi ynë, që të gjithë mjekët tanë të trajnohen në nivele të Europës, në mënyrë që t’u japim mundësi pacientëve tanë të mos kenë nevojë të udhëtojnë apo të shpenzojnë para jashtë vendit, por që shërbimin ta marrin në Kosovë, me standarde europiane dhe me kualitet të lartë, tha Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, ndërkohë, falënderoi ekipin italian për ndihmën e ofruar. Bashkëpunimet e kësaj natyre, i quajti shumë të rëndësishme për ngritjen profesionale të mjekëve kosovarë.

“Është një formë e mirë që ekipet nga jashtë vijnë dhe punojnë bashkë me ekipet e mjekëve në QKUK. Ndihma nga italianët vetëm e ngrit Kardiokirurgjinë në nivel më të lartë nacional dhe ndërkombëtar”, tha Sejdiu.

Nga ana tjetër, ambasadori italian, Piero Cristoforo Sardi, tha se ekipi nga Italia është i kënaqur me punën, që po bëhet këtu dhe synohet që edhe më tutje të ketë përvoja të tilla.

“Ne jemi këtu për të parë misionin e ekipit italian nga Spitali i Masas, si pjesë e projektit për të ndihmuar Kosovën, në lidhje me Kardiokirurgjinë Pediatrike. Ky është qëllimi kryesor i këtij misioni”, tha Sardi.

Një ekip tjetër i mjekëve nga Italia, i asistuar nga mjekët kardiokirurgë të QKUK-së, javën e kaluar, kanë kryer disa operacione tek pacientët e moshës së rritur, me probleme në zemër