Mjekë dhe infermierë nga qyteti i Firences në Itali janë vendosur në Lezhë në ndihmë të banorëve të zonave të prekura nga tërmeti. Të ndarë në dy grupe, të pajisur me autoambulanca dhe të gjitha aparaturat e nevojshme, ata do të përqendrohen kryesisht në zonat rurale, ku njerëzit kanë më shumë nevojë për trajtim shëndetësor në këto ditë të vështira.
Një ekip mjekësh italianë nga qyteti i Firences janë vendosur në Lezhë për të përballuar emergjencat shëndetësore të banorëve të prekur nga tërmeti.
Bashkë me ambulancën e tyre, ata do të shërbejnë si qendër e lëvizshme shëndetësore, në zonat rurale ku banorët qëndrojnë me çadra.
Ermini Marko, që qëndron në krye të grupit, tregon se ata kanë ardhur për tu shërbyer shqiptarëve në një moment të vështirë.
“Kemi ardhur këtu për t’ju ardhur në ndihmë personave të prekur nga tërmeti. Do të operojmë kryesisht në zonat rurale të Lezhës aty ku dhe nevoja për shërbim shëndetësor është më e madhe. Do të qëndrojmë këtu deri në kalimin e kësaj situate emergjente”
Ekipit italian i është bashkuar edhe Vat Marashi, një mjek shqiptar që jeton në Firence.
Ai thotë se falë këtij programi, personat që do të konstatohen me probleme të rënda shëndetësore do të dërgohen për trajtim jashtë Shqipërisë.
“Rastet që janë të rëndë apo rastet që kanë nevojë për trajtim jashtë, shpesh herë hyjmë në marrëdhënie me autoritete tona në rajonin e Toskanës në Itali dhe mund të ndihmojmë edhe njerëz për të çuar jashtë.”
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu thotë ky ekip është një ndihmë e madhe për tu gjendur pranë banorëve të zonave rurale në këtë moment të vështirë
“Do bëjmë vizita intensive. Do të japin receta, do të japin medikamente. Ky në fakt është një shërbim në kohën e duhur dhe unë i falënderoj shumë”
Qendra shëndetësore e lëvizshme ka në përbërje 2 mjete dhe dy infermiere ndërsa është e pajisur me te gjitha aparaturat për dhënien e ndihmës mjekësore si dhe medikamentet baze./oranews