Me moton “Mjaft na izoluat, edhe sa kritere na duhen”, studentët e Universitetit të Prishtinës (UP) kanë organizuar një marsh simbolik në shenjë pakënaqësie me BE-në për mosliberalizimin e vizave për kosovarët.
Studentët kanë filluar aksionin e tyre nga fakulteti filozofik drejtë sheshit të kryeqytetit duke u ndalur para Qeverisë së Kosovës.
Studenti Bekim Ibishi tha se po kërkojnë që përfaqësuesit e shtetit t’iu bashkëngjiten atyre, për të vazhduar drejtë Zyrës së Bashkimit të Evropian në Kosovë.
“Ftojmë përfaqësuesit të na bashkëngjiten dhe të kërkojmë llogari prej BE-së”, u shpreh Ibishi.
Studentët vazhduan marshin, për të kërkuar llogari tek Bashkimi Evropian se përse nuk po liberalizohet vizat për qytetarët e Kosovës.
Ata treguan disa nga sfidat që hasin si qytetarë të Kosovës, në mungesë të vizave.
“Ne po kërkojmë llogari për vizat kur te gjithë janë në festë ne nuk mund të festojmë se jemi të izoluar, këta na i kanë shndërruar pasaportat tona të pavlera. Ne nuk mundë të vizitojmë as familjaret tona ndërsa këta shëtisin mbarë botës. Duam t’i i pyesim se a është izolimi vlerë e BE-së”, u shpreh Ibishi, raporton EO.
Ndërsa, Blendon Arifi tha se lëvizja e lirë, është e drejtë themelore e qytetarëve.
“Nëpër te gjithë truallin evropian jemi te vetmit qe s’mund të lëvizim lirshëm. Jemi të vetmit dhe nuk na intereson politika. Thjesht shkurt dhe qartë dua të drejtat tona themelore. Për zonjën Mogherini që na premtoi”, tha Arifi.
Studentët lanë pankartën dhe një dhuratë simbolike para Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Jemi mbledhur për disa dhurata simbolike për Mohgerinin se qysh është tujë izoluar ketë popull”, tha studenti Edison Syla.
Për Shpat Krasniqin kriteret janë plotësuar për liberalizimin e vizave.
“Na kërkuat kritere, i plotësuam na kërkuat demarkacionin e me Malin e Zi ratifikuam. Mjaftë më tallje qe po i boni 2 milion qytetarëve. Nëse politikat janë të përfshirë ne krim e korrupsion ndëshkoni ata”, u shpreh Krasniqi.
Përndryshe në këtë marsh protestues morën pjesë dhjetëra studentë, të cilët u shpërndanë të qetë.