Foto: Llapi.info

Në sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës, në seancën e rregullt është miratuar Projektbuxheti i Komunës së Podujevës në shumë prej 22,032,619 euro, njofton Llapi.info

Lidhur me propozimin e vendimit për miratimin e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, këshilltarët i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

“Ministria e Financave me Qarkoren 2019 ka përcaktuar kufijtë final të buxhetit për vitin 2019 si dhe projeksionet për vitin 2020-21. Sipas kësaj, kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: Grandi Qeveritar në shumën prej 20,444,444 euro dhe të hyrat vetanake në shumën prej 1,588,175 euro”, tha drejtori Latifi.

Më tej drejtori Latifi ka bërë të ditura edhe shpenzimet e ndara sipas kategorive ekonomike.

Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së e ka përkrahur, Adnan Zymeri, i cili tha se më 2019 fillojnë punimet për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit.

Në anën tjetër partitë opozitare në Kuvendin Komunal, kanë kundërshtuar këtë buxhet. Kësisoj Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar haptas, kurse PDK ka abstenuar.

Në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së, Floretë Zejnullahu, ka bërë vërejtje lidhur me mos specifikimin e projekteve të planifikuara dhe ndarjen e mjeteve buxhetore në kategori të ndryshme dhe mos përfshirje të projekteve të ndryshme në bazë të kërkesave të qytetarëve. Sipas saj, ky projektbuxhet nuk është i orientuar.

Vërejtje e sugjerime të shumta ka dhënë edhe Lirika Maliqi, në emër të grupit të këshilltarëve të VV-së.

“Përgjithësisht buxheti i projektuar për vitet 2019-2021 kopjon dhe bartë numra nga vitet paraprake e deri në vitet e ardhshme. Këto kopjime garantojnë mos ndryshimin dhe stagnim. Investimet kapitale nuk kanë të bëjnë fare me ndërtimin e kapaciteteve prodhuese, pastaj nuk ka fare kreativitet se si të rritet ky buxhet ose konkretisht të hyrat vetanake. Ky projektbuxhet është një servim nga ana e kryetarit dhe një asnjë mënyrë nuk ka ardhur si rezultat i diskutimeve me qytetarët, nga debatet me subjekte politike apo nga debatet dhe këshillat nga ana e profesionistëve të ndryshëm. Kjo dhe shumë të tjera e bëjnë të gjithë procesin e përpilimit dhe votimit të buxhetit jo relevant dhe natyrisht që LVV nuk do ta votojë këtë buxhet”, ka thënë Maliqi.

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditë, Kuvendi me shumicë votash miratoi projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2019 dhe parashikimet buxhetore 2020-2021. Miratimin e këtij buxheti e ka ndihmuar edhe këshilltari nga radhët e AAK-së, Patriot Rudari edhe pse dha kritika për shpërndarjet buxhetore, duke shtuar se vendet kodrinore malore janë anashkaluar me këtë buxhet./Llapi.info