Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e ku i pranishëm ishte kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja e komunës, Marigona Lahu si dhe anëtarët e ekzekutivit, transmeton Llapi.info.

Para fillimit të punimeve të mbledhjes, me kërkesën e kryesuesit të kuvendit u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën aksidentalisht në Kroaci.

Kryesuesi i kuvendit komunal, Fatmir Gashi, me kërkesën e drejtorit të Drejtorisë së Planfikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, propozoi që të përfshihet në pikë të rendit të ditës “Projekt Harta Zonale” 2020-2028.

Pas diskutimeve të këshilltarëve komunal, Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, iu drejtua këshilltarëve me shkresat dhe konsultimet që kanë shkëmbyer me ministrinë përkatëse rreth ligjshmërisë së kësaj harte, dhe prezantoi mundësitë ligjore për të vazhduar me këtë pikë apo mosvazhdimin e saj, dhe rikthimin në pikën zero.

Me vënien në votim, kjo pikë mori votat e mjaftueshme për përfshirje në pikën e 6-të të rendit të ditës.

Në diskutim morën pjesë këshilltarët: Hasan Ajeti (LDK), Fatmir Rudari (PDK), Rafet Llapashtica (PDK), Fatlume Jaha (LDK), Pajtim Hodolli (PDK), Haki Rudari (LVV).

Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, për pasqyrat vjetore financiare të komunës së Podujevës për vitin 2020 e prezantoi drejtori i Drejtorisë së Financave, Fatlum Osmani, ku pas prezantimit të këtij raporti ai prezantoi edhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në Raportin e Zyrës së Auditimit.

Drejtori Osmani prezantoi gjerësisht përmbajtjen e raportit duke theksuar këtu Opinionin e Auditimit, gjetjet dhe rekomandimet, Informacionin e përmbledhur për planifikim dhe realizim të buxhetit si dhe progresin në zbatimin e rekomandimeve. Për këtë raport disuktuan këshilltarët Hasan Ajeti (LDK), Ragip Fetahu (LVV), Rafet Llapashtica (PDK), Haki Rudari (LVV).

Propozim Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për taksa, tarifa dhe Gjoba Komunale, prezantoi drejtori i Zhvillimit dhe Planfikimit Ekonomik, Pajtim Balaj.

Drejtori Balaj tha se objekt i ndryshimit të rregullores është neni 6, ku ne kemi propozuar lirimin nga taksa komunale vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste të subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës, kjo ka ndikuar të mos ketë interesim për dëgjim publik që ka qenë e përcaktuar me afat kohor nga 7 qershori deri më 7 korrik 2021.

Drejtori Balaj theksoi se ky veprim lehtëson veprimtarinë afariste dhe në këtë drejtim nuk ka pasur kundërshtim apo mospajtim, duket që ka pajtueshmëri të përgjithshme, duke kërkuar përkrahje nga këshilltarët për miratimin e kësaj rregulloreje.

Pas diskutimeve të këshilltarëve të partive të ndryshme, kjo rregullore gjeti përkrahje dhe u votua njëzëri.

Drejtori i drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, paraqiti një përmbledhje të informatës për gjendjen e arsimit për vitin shkollor 2020-2021. Drejtori Fetahu prezantoi objektivat strategjike me të cilat Drejtoria e Arsimit është orientuar në bazë të buxhetit të trashëguar dhe mundësive kohore.

Objektivat kryesore të kësaj drejtorie ishin: Zhvillimi profesional i mësimdhënësve, zbatimi i kurrikulës së re, TIK-u dhe mjetet e konkretizimit, sigurimi i cilësisë, infrastruktura fizike dhe arsimi dhe aftësimi profesional.

Drejtori Fetahu theksoi se Drejtoria Komunale e Arsimit në funksion të përgatitjeve për çdo periodë të fillimit të ri shkollor, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për t’i krijuar kushtet për mbarëvajtjen e procesit mësimor në periudhën e parë të këtij viti shkollor.

Në këtë pikë të rendit të ditës diskutuan këshilltarët: Shaban Bajoku (LDK), Ragip Fetahu (LVV), Pajtim Hodolli (PDK), Arlinda Kadriu (LDK), Agim Behluli (LDK), Hasan Ajeti (LDK), Fatmir Rudari (PDK), Agron Hyseni (LDK),  Rafet Llapashtica (PDK).

Informatën e përgjithshme të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, e prezantoi drejtori Fevzi Jetullahu.

Drejtori Jetullahu prezantoi shumë punë dhe shërbime të cilat janë kryer dhe janë duke u kryer në kuadër të kësaj drejtorie, ndër shërbimet që theksoi janë shërbimi me ujë, menaxhimi i mbeturinave, furnizimi me rrymë, transporti, shërbimi i zjarrfikësve dhe dinamikën e projekteve kapitale.

Në këtë pikë diskutuan dhe parashtruan pyetje këshilltarët: Pajtim Hodolli (PDK), Haki Rudari (LVV), Mimoza Stublla(PDK), Ragip Fetahu (LVV), Hasan Ajeti (LDK).

Për pikën rreth anulimit të Rregullores nr.01-560/03-0045216/21 të datës 04.06.2021 për përkujdesjen dhe mbrojtjen e fëmijës dha sqarim kryesuesi i kuvendit Fatmir Gashi, duke potencuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal e ka përcjellë shkresën në zyrën e Kryeministrit sipas të cilës akti në fjalë nuk është në harmoni me Ligjin për mbrojtjen e fëmijës nr.06/L-84).

Kjo rregullore për anulim u vë në votim dhe mori votat e mjaftueshme nga asambleja.

Pika e rendit të ditës “Projekti i Hartes Zonale 2020-2028” u prezantua nga drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani. Drejtori Hasani kërkoi nga këshilltarët komunal t’i japin një kahje këtij projekti për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme.

Pas vënies në votim të këtij dokumenti, ky projekt nuk gjen përkrahje nga këshilltarët e asamblesë.

Nënkryetarja e Komunës Marigona Lahu, iu drejtua këshilltarëve me kërkesën e ministrisë përkatëse që këtij projekti t’i jipet një epilog, që dokumenti të dalë në votim, të votohet ose jo, dhe të vazhdohet me procedurën e plotësim ndryshim të dokumentit.

Me propozimin e këshilltarit nga radhët e VV-së, Florent Hasani, Drejtori i Urbanizmit, Bujar Hasani u autorizua për hapat e mëtutjeshëm për plotësim ndryshim të dokumentit.

Ky propozim u aprovua dhe gjeti përkrahje edhe nga këshilltarët e grupeve tjera politike.

Në diskutim morën pjesë: Marigona Lahu, Florent Hasani, Avni Islami, Rafet Llapashtica, Hasan Ajeti dhe Mehmet Gashi.

Kryetari i Komunës së Podujevës tek pika të ndryshme paraqet si një problem para këshilltarëve, fjala është për muret apo gërmadhat si objekt i ish-koperativës tek fshati Dumnicë.

Kryetari Bulliqi i sheh si të rrezikshme dhe shqetësuese këto gërmadha për faktin që mund të rrezikojnë qytetarët e asaj zone.

Kryetari Bulliqi theksoi që pas inicimit të procedurave për pëlqim nga AKP, nuk kanë marrë pëlqimin apo ndonjë përgjigje që do t’i jepte një zgjidhje të mirë këtij problemi, me kërkesën e tij ai paraqet si mundësi largimin e këtyre gërmadhave nga kompanitë e kontraktuara në kuadër të drejtorisë përkatëse./Llapi.info