Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, që shpesh dalin të jenë banale, vazhdojnë të shndërrohen në kërcënime e përleshje mes qytetarëve në vendin tonë. Jo rrallëherë këto situata eskalojnë në rrahje brutale, duke kërkuar ndërhyrjen e Policisë.
Një rast i tillë është raportuar në fshatin Terstenik të Drenasit, ku dy vëllezër kanë sulmuar brutalisht dhëndrrin e tyre.
Viktima, rreth 54-vjeçar, ka deklaruar se është rrahur rëndë nga dy persona, njëri rreth 41-vjeçar dhe tjetri rreth 46-vjeçar – ky i fundit me shtetësi gjermane. Ai ka pësuar lëndime serioze pasi është goditur me grusht dhe me boks metalik në kokë.
Fillimisht ai ka marrë trajtim mjekësor në QKMF-Drenas, ndërsa më pas është transferuar në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.
Dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në ndalim 48 orë. Për shkak të shtetësisë së njërit prej tyre, lidhur me rastin është njoftuar edhe Ambasada Gjermane.