Ministria e Jashtme e Austrisë ka thënë se nuk ka dhënë garanci për Hashim Thaçin dhe të tjerët, për lirimin e tyre me kusht nga Haga.

“Nëse Austria ka dhënë ndonjë garanci në lidhje me rastet e treguara në e-mailin tuaj, përgjigjja e dhënë nga Ministria e Jashtme e Austrisë është: jo”, ka thënë ambasada e Austrisë në Kosovë për Gazetën Insajderi.

Ndryshe, ish-gjenerali Hisen Berisha ka deklaruar së fundmi se sipas informacioneve, Kroacia, Sllovenia dhe Austria kanë ofruar garancë për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Garanca nga një shtet ofrohet për të siguruar Gjykatën se të dyshuarit nuk do t’i ikin drejtësisë përderisa janë duke u mbrojtur në liri.

Këtë garancë shteti e ofron duke i siguruar të pandehurit përmes policisë apo organeve shtetërore në një farë mënyrë t’i respektojnë urdhrat që i jep Gjykata e Hagës.

Ndryshe, aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.

Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.