Ministria e Infrastrukturës ka thënë se kanë rifilluar punimet në segmentet e mbetura në gjysmë në magjistralen Podujevë – Prishtinë, raporton Llapi.info.
Në një përgjigje për Llapi.info, Ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu, ka paralajmëruar se aksi kryesor i kësaj magjistrale do të kryhet para sezones së verës.
“Punimet Prishtinë-Podujevë kanë rifilluar. Planifikimet janë që punimet në aksin kryesor të përfundojnë para sezonit veror”, thuhet në përgjigjen e MI-së.
Për zvarritjen e punimeve, Ministria e Infrastrukturës thotë se problemi që nga fillimi kishin të bëjnë me shpronësimet.
“Shkaqet që kanë çuar në zvarritjen e punimeve janë pengesat pronësore të cilat e kanë percjellur që nga fillimi i punimeve”, thuhet tutje nga MI.
Ndryshe, më shumë se gjashtë vjet kanë kaluar nga nisja e punimeve në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë. Banorët janë shprehur të shqetësuar për dinamikën dhe cilësinë e punimeve.
Fahri Berisha, banor i fshatit Lluzhan, ka thënë për Telegrafin se këto nuk janë punime, por siç ka thënë ai, ky është krim dhe gjenocid. Pikërisht nga këto punime, fshati Penuhë ka mbetur pa ujë të pijshëm që një vit.
“Kjo paraqet vështirësi të mëdha. Unë e kam biznesin këtu. Kur më duhet me shku me marrë zhavorr andej prej Drenice, më duhet me shku në Penuhë atje edhe me hi në pllac tem. Fëmijë jem shkon në shkollë, kur vjen këtu qysh me kapërcy rrugën për me ardhë në shtëpi. Kah me shku na që kemi me punu arat, kur vendosen skejoret. Kjo është krim, ky nuk është rregullim. Ju shkoni në Siboc atje, gjenocid është – nuk është rrugë. Është dështim total. Asnjë kanalizim nuk është. Kur bie shi deri atje shkon uji”, ka thënë ai.
Edhe banorët tjerë janë shprehur indinjuar për dinamikën e punimeve në këtë rrugë që lidh Llapin me kryeqytetin. Ata kanë thënë se gjatë punimeve kanë hasur në vështirësi të mëdha, duke shtuar se edhe aksidentet janë shpeshta. /Llapi.info