Lokale - eSIMy

Ministria e Financave ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit Perëndimor, me ç’ rast ka thënë se reformat e ndërmarra gjatë vitit të fundit për ta ndihmuar zhvillimin e sektorit privat, përveç nga biznesi, ato po vlerësohen lartë edhe në raportet e Bankës Botërore.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ekonomia e Kosovës, gjatë vitit 2018 pritet të shënojë një rritje reale prej 4.2%, duke vazhduar të renditet si vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon.

Ministria e Financave thekson se kjo perspektivë pozitive e ekonomisë së Kosovës gjithnjë sipas raportit të Bankës Botërore, i atribuohet rritjes së investimeve totale dhe performancës më të mirë të eksporteve, si rrjedhojë e pritjeve optimiste në ekonominë e Eurozonës dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Gjithashtu, vazhdimi i përmirësimit të kapaciteteve absorbuese të investimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare do të jetë një shtytës tjetër pozitiv në përshpejtimin e rritjes ekonomike në Kosovë. Ngjashëm me vitin 2018, rritja ekonomike do të vazhdojë të përshpejtohet edhe në horizontin afatmesëm (2019- 2020), duke u luhatur rreth nivelit 4.5%, ndërkohë që deficiti buxhetor, sipas raportit të BB-së, do të vazhdojë të respektojë rregullën fiskale gjatë periudhës së parashikuar”.