Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka mohuar se është bërë një draft final për pagat e zyrtarëve publikë.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, pasi siç thotë ai, e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit.
“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njejta përcaktohet me ligjin e buxhetit. Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shtuar se dikasteri që ai udhëheq do të ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njejti të finalizohet.






