Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në vazhdën e mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit, sot ka kryer inspektime nëpër furrat e bukës në rajonin e Prizrenit.
Mbikëqyrja metrologjike për peshën e bukës dhe njëkohësisht Inspektorati i tregut ka mbikëqyrur deklaracionin nëpër pikat e shitjes.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza ka thënë se qëllimi i aktiviteteve të mbikëqyrjes metrologjike ka qenë zbatimi i ligjit në disa furra buke dhe është bërë matja e bukës dhe verifikimi i peshoreve.
Ai ka treguar se po ashtu është bërë edhe mbikëqyrja metrologjike e parapaketimeve produkteve nga importi dhe vendore.
Ndërsa Lulzim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se kanë mbikëqyrur deklaracionin nëpër furrat e bukës duke bërë krahasimin me atë që shkruan dhe buka që shitet.
“Kemi bërë inspektimin në pesë furra të ndryshme dhe qëllimi ka qenë të krahasojmë atë që shënon, a është 500 gramë dhe a po shitet 500 gramë. Në këto pesë vizita kanë rezultuar se të gjithë e respektojnë ligjin dhe janë brenda parametrave”, tha ai.
Gjatë këtij aksioni, është gjetur një operator ekonomik, i cili merret me shitjen e bukës, ku nuk ka pasur të vendosur deklinacionin dhe janë marrë masa ndaj atij subjekti.
“Inspektorati i MTI-së dhe inspektoratet komunale janë duke e bërë punën e vet dhe jemi duke zbatuar urdhrin e ministrit Shala. Kemi shikuar edhe a ka me mbishkrime Kosovë e Metohi, ku siç po shihet i kanë tërheq të gjitha mallrat. Mbikëqyrja ka nis të bëhet 100 për qind për çdo mall i cili hyn nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, që vendimi i qeverisë të zbatohet në përpikëri”, tha Syla.
Ndryshe, ky aktivitet do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme, ku do të bëhet mbikëqyrja metrologjike dhe ajo e deklinacionit të të gjitha produkteve në pikat shitëse.