Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka qëndruar për vizitë në familjen e dëshmorit nga Podujeva, Bedri Ahmeti, shkruan Llapi.info.
Në një postim në Facebook, Mehaj thotë se dëshori Bedri Ahmeti, sipas tij, është kthyer nga Gjermania për të veshur uniformën e UÇK-së.
Postimi i tij i plotë:
Thirrjes për mbrojtje të atdheut ju përgjigjën të gjithë trimat dhe liridashësit, të cilët nuk duronin shtypjen dhe robërinë e regjimit serbë. Të shumtë ishin ata që u kthyen nga mërgimi, vetëm e vetëm që të merrnin pushkën dhe të luftonin përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte organizimi më i lavdishëm i popullit tonë, për liri e pavarësi.
I tillë ishte edhe Bedriu, ai u kthye nga Gjermania për të veshur uniformën e UÇK-së dhe për t’i dalë zot atdheut. Baca Fazli, babai i dëshmorit, rrëfen me plot emocione për përgatitjet, vullnetin dhe entuziazmin e të birit dhe shokëve të tij, për të çliruar atdheun.
Falë sakrificës së tyre fituam lirinë, rrugën të cilën ata e kanë nisur dhe amanetet të cilat i kanë lënë, ne duhet t’i dërgojmë deri në fund.
Me këto amanete ne punojmë çdo ditë me vullnet dhe përkushtim të lartë.