Koordinatori për Bujqësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Naim Ismajli i ka reaguar ministrit të Bujqësisë Faton Peci, lidhur me deklaratat e tij për rendimentin e grurit sivjet.

Rivali i Pecit nga “qeveria” e PDK-së thotë se Kosova para se Peci të vinte në krye të Ministrisë së Bujqësisë kishte të mbjella mijëra hektarë më shumë se këtë vit.

“Ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga Faton Peci po mburret me statistikat e mbjelljes së grurit dhe rendimenteve tjera bujqësore, duke bërë krahasim vetëm me vitin e kaluar kur vet ai ka udhëhequr këtë sektor. Por, shifrat zyrtare janë publike dhe e demantojnë keq këtë qeveri e cila në çdo sektor po mburret me kinse rritje, duke bërë krahasime vetëm me vitin 2021 kur gjithçka në Kosovë ishte në kolaps nga pandemia”, ka shkruar Ismajli në faqen e tij në Facebook.

“Derisa ministri Peci thekson me mburrje se këtë vit Kosova kishte të mbjella 66 mijë hektarë me grurë duke e paraqitur këtë shifër si thyrje rekordi krahasuar me vitin e kakuar, ai po “harron” të shikoj rendimentet e para pak vitesh 2012-2017 kur Peci nuk ishte ministër e kur në Kosovë fermerët mbillnin nga 89 mijë e deri në mbi 100 mijë hektarë tokë me grurë”, shtoi ai.

Ai tha se këto shifra dëshmojnë se qeveria aktuale “i ka harruar bujqit”.

Sipas Ismajlit, qeveria aktuale “po i dekurajon duke mos i subvencionuar dhe duke mos krijuar lehtësira për punën fisnike që bëjnë”.

“Kjo ka bërë që shumë bujq sivjet të mos mbjellin tokat e tyre e shumë sektorë të pësojnë keq dhe kjo do të shihet më së miri vitin e ardhshëm. Bujqit e Kosovës dhe të gjithë qytetarët pa dallim tashmë e kanë parë se populizmi i kësaj qeverie me shifra të pa sakta, është lojë e rrezikshme ku zyrtarët qeveritar përpiqen t’i mashtrojnë qytetarët edhe për bukën e gojës e lëre më në fushat tjera”, shkroi Ismajli.