Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka raportuar në Komisionin për Bujqësi lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve në komunën e Shtërpcës.

Ai ka thënë se gjendjen e ka gjetur të tillë kur ka ardhur në krye të ministri. Matoshi ka thënë se nuk e ka fuqinë që të ndërmarrë diçka në këtë aspekt, pasi sipas tij, kompanitë ndërtuese kanë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e tyre, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, vetëm Kuvendi i Kosovës e ka fuqinë për ta ndryshuar gjendjen aktuale.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të fshatit Biti e Poshtme, të cilët janë kundër hidrocentraleve.

Përfaqësuesi i fshatit Biti, Agron Rushiti, ka thënë se nuk ka pasur debat publik para ndërtimit të hidrocentraleve. “Ne nuk kemi marrë pjesë në asnjë debat publik për këtë çështje”, ka theksuar Rushiti.

Ai ka shprehur shqetësimin lidhur me pakësimin e ujit në lumin Lepenc, duke treguar disa fotografi të lumit para ndërtimit të hidrocentralit dhe pas ndërtimit të tij. Rushiti ka thënë se në atë pjesë nuk ka jetë pa ujë dhe se banorët nuk do të kenë as ujë të pijshëm për shkak të hidrocentraleve.

Shqetësime lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve kanë shprehur edhe deputetët, të cilët kanë propozuar edhe formimin e një Komisioni hetimor parlamentar për të zgjidhur këtë çështje.

Kryetari i Komisionit, deputeti Muharrem Nitaj, ka thënë se për këtë çështje do të duhej të formohej një Komision hetimor që do të shihte se si qëndron puna e këtyre hidrocentraleve, lejeve të marra, ujit që shfrytëzohet, në mënyrë që shqetësimet e ngritura të adresohen.

Përfaqësuesit e banorëve kanë kërkuar që të ndalet puna në të gjitha hidrocentralet në rajonin e Shtërpcës. Ndërkohë që ministri Matoshi ka thënë se nuk ka kompetencë ligjore që të ndalojë punimet.

Sipas Matoshit, ndalimin e punëve mund ta bëjë Kuvendi me nxjerrjen e një moratoriumi deri në ndryshim të ligjeve.