Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka qëndruar sot në Podujevë, ku bashkë me kryetarin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, kanë vizituar fermerët llapjanë që pësuan dëme nga stuhia, shkruan Llapi.info.
Bulliqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i kanë siguruar fermerët e dëmtuar se do t’iu dalin në ndihmë, duke u bazuar në kornizat buxhetore.
“Me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ishim në teren për t’i vizituar disa prej fermerëve llapjanë, të cilët kanë pësuar dëme në plantacionet e tyre nga shiu dhe breshëri i djeshëm që ka goditur në disa zona Komunën e Podujevës. Dëmet që janë shkaktuar nga moti i lig janë të shumta dhe ka përfshirë shumicën e kulturave bujqësore në fshatrat ku ka goditur stuhia dhe breshëri. I siguruam fermerët se si institucione do t’i kompenzojmë dëmet që janë shkaktuar nga kjo fatkeqësi natyrore, duke u bazuar në kapacitetet tona buxhetore”, ka shkruar ai./Llapi.info






