Viti i ri shkollor mund të mos nisë më 1 shtator. Kjo për shkak të përgatitjeve që duhet të bëhen nëpër shkollat e Kosovës, përfshirë sinjalizimin, vendosjen e shenjave dhe informimin e nevojshëm për mbrojtje nga COVID-19.
Kështu ka deklaruar për Gazetën Express ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj.
Ministri i Arsimit thotë se nga vizitat në terren dhe takimet me zyrtarë të komunave, është vlerësuar se janë bërë përgatitje të mjaftueshme.
Megjithatë, Likaj deklaron se data 1 shtator mund të mos jetë dita kur do të nis mësimi në vend.
“Do të shikojmë mundësinë që për disa ditë, derisa të bëjmë një certifikim të tillë të shkollave, ka mundësi që të shtyhet. Duke ditur që pas dy javësh kapacitetet testuese në Kosovë do të rriten, për shkak të pajisjeve të reja që i ka marrë Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Likaj.
Likaj shtoi se do të shikohet nëse ka nevojë për protokolle shtesë, duyke përfshirë këtu informimin, sinjalizimin në hapësirat shkollore dhe respektimin e kushteve higjienike.
“Sot e kemi një takim, do të konsultohemi me specialistë të IKSHPK’së, e kemi aty edhe SBASHK’un, në qoftë se na vijnë edhe nga kryeministria dhe shoqata e prindërve, do të shohim a ka nevojë për protokolle shtesë, për certifikimin e institucioneve arsimore se a i kanë marrë të gjitha masat përfshirë këtu edhe sinjalizimin, informimin, vendosjen e shenjave, respektimin e kushteve higjieniko-sanitare, që më pas t’i dërgojmë edhe inspektorët sanitarë dhe të arsimit dhe të bëjmë njëfarë certifikimi”, deklaroi Likaj për Express.
Ai bëri të ditur se komunat janë përgatitur duke dnërmarrë masat e nevojshme, megjithatë duhet të veprohet me kujdes për shkak të situatës me koronavirus në vemd.
“Komunat brenda mundësive janë përgatitur, janë ndërmarrë masa, ka dezinfektues, ka shenja të njoftimit, por ne duhet të veprojmë me kujdes të shtuar për mbrojtjen e nxënësve dhe mësimdhënësve”, ka thënë Likaj.
Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit të enjten ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të shikojë mundësinë e shtyerjes për dhjetë ditë të vitit të ri mësimor.
Nga SBASHK’u thonë se e përkrahin planin e qeverisë për rinisjen e mësimit, por, sipas kësaj sindikate, institucioneve të arsimit u duhet akoma përgatitje.
“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it”, thuhet në komunikatën e SBASHK’ut.
Qeveria e Kosovës të mërkurën ka aprovuar master-planin për nisjen e mësimit në tri faza.
Po ashtu, janë ndarë edhe rreth 10 milionë euro të cilat do t’u shpërndahen komunave për implementimin e këtij plani