Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashit, i ka propozuar që të bëhet zëdhënës i LVV-së.

Kjo pasi sipas saj, i njëjti është i obsesionuar me Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes dhe vazhdimisht bën komente lidhur me zhvillimet brenda grupit.

Këto deklarata Kusari-Lila i ka dhënë për RTV21, pasi është pyetur për deklarimin e Gashit, se Qeveria Kurti 2 do të bie në vjeshtën e vonë, pasi siç ka thënë, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.

“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime, janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në koalicion”, ka thënë Gashi.

Por, deklarata të tij janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme sipas Kusari-Lilës.

“Duket se z. Gashi e ka një obsesionim me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Unë i kam propozuar që nëse është i interesuar mund të marrë pozitë të përfaqësuesit të grupit në kuptimin e zëdhënësit sepse merret vazhdimisht me komente se çfarë ndodh brenda në grup. Deklaratat e tij janë absolutisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme”, është shprehur ajo.