Milot Avdyli është duke përjetuar dhe shijuar ëndrrën e tij të kamotshme për të luajtur në Superligën e Kosovës në futboll. Talenti vushtrrias e shkroi emrin e tij në librat e historisë së futbollit kosovar, si një ndër shënuesit më të rinj në Superligë.
Me 17 vjet e 336 ditë, ai realizoi gol në ndeshjen e tij me Trepçën ’89 kundër Drenicës. Ndërsa, ai nuk u ndal vetëm me kaq. Avdyli shënoi gol edhe në përballjen kundër Dukagjinit të Klinës. Këmbëshpejti që mban topin shumë mirë afër vetes dhe depërton pa ndonjë problem, e ka model emnakun e tij, Milot Rashicën, shkruan KOHA.
Me yllin e Kosovës dhe të Werder Bremenit, Avdylin e lidhin shumë gjëra. Që të dy janë nga i njëjti qytet, Vushtrria, pastaj kanë shënuar gol në Superligë në moshën e njëjtë si dhe janë zhvilluar si futbollistë te shkolla e njëjtë e futbollit – Kurda. Avdyli ka filluar të merret me futboll shumë herët. Në fakt, 17-vjeçari ka sakrifikuar shumë për të realizuar ëndrrën e tij. Ai pothuajse çdo ditë ka bërë 70 kilometra rrugë për t’u stërvitur.
“Në moshën tetëvjeçare kam filluar të merrem me futboll. Si çdo fëmijë edhe unë hapat e parë i kam nisur në qytetin tim të lindjes, Vushtrri, te shkolla e futbollit ‘El Clasico’. Pastaj kam vazhduar te klubi i Vushtrrisë dhe më pas te shkolla e futbollit Kurda”, thotë Avdyli.
“Ishte një sakrificë për mua për shkak se është dashur që çdo ditë të udhëtoj nga 70 kilometra të stërvitem. Mirëpo, dashuria për futbollin ka bërë që të stërvitem rregullisht duke mos munguar asnjëherë”.






