Mikrobiologu kosovar, Lul Raka është shpallur fitues i çmimit “Evropiani i vitit” për vitin 2020.
Lajmin e ka bërë të ditur, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.
Ndarja e çmimit është bërë përmes një transmetimi live në Facebook.
Mikrobiologu Lul Raka në këtë kohë pandemie ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në informimin e qytetarëve.
Ai ka thënë se ndihet i nderuar me këtë çmim. Raka u shpreh se puna e tij në këto ditë pandemie ishte shumë e vogël në krahasim me punën e shërbyesve të tjerë shëndetësore, dhe se do të dëshironte të ndante këtë çmim me të gjithë qytetarët e Kosovës që ndoqën udhëzimet për parandalimin e pandemisë.
Kujtojmë se për të pestin vit me radhë, me rastin e Ditës së Evropës, Bashkimi Evropian në Kosovë ndan Çmimin Evropiani i Vitit për një individ/institucion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të kaluar.