Çdo vit mijëra vdekje mund të parandalohen me aktivitete fizike dhe rreziku i rikthimeve mund të zvogëlohet me 30%, nënvizojnë ekspertët me rastin e Ditës së Fondacionit AIOM (Shoqata Italiane e Onkologjisë Mjekësore) 2020, kushtuar aktivitetit fizik dhe tumoreve.

”Me ushtrime të rregullta, edhe në shtëpi, probabiliteti për t’u sëmurur zvogëlohet mesatarisht me 7% dhe për disa kancere mund të arrijë mbi 20%. Duhen 30 minuta lëvizje 5 herë në javë”, nënvizojnë ekspertët.

Edhe me palestra dhe pishina të mbyllura përkohësisht për shkak të emergjencës së shkaktuar nga COVID-19, ecja dhe gjimnastika e thjeshtë në shtëpi janë thelbësore.

“Sigurisht, në këtë moment gjithçka është më e vështirë, por aktiviteti fizik është një nga mjetet më të rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve kronike jongjitëse dhe është thelbësor për mirëqenien psikofizike dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës, në të gjitha moshat’’, shpjegon Stefania Gori, presidente e Fondacionit AIOM.

Shumë lloje të kancerit mund të parandalohen me ushtrime fizike dhe të dhënat janë veçanërisht të rëndësishme dhe bindëse për kancerin e gjirit në postmenopauzë (13% ulje e rrezikut), për kancerin e zorrës së trashë (zvogëlimi i rrezik prej 20%) dhe të endometrit (zvogëlim rreziku prej 20-25%)/ANSA.